Gjermania dhe Danimarka do të ndërtojnë një tunel në fundin e detit, i cili do të shkurtojë rrugët automobilistike dhe hekurudhore midis kontinentit e Skandinavisë.
Vendimi për ndërtimin e tunelit u miratua sot, pasi fillimisht ishte rënë dakord që një urë prej 18 kilometrash të ndërtohej në ngushticën Fehmarn.
Megjithatë, parlamenti danez bllokoi ndërtimin, duke vendosur që ura të zëvendësohej me projektin më të shtrenjtë të tunelit, i cili do të jetë më i sigurt dhe më i përputhshëm në rregullat për ruajtjen e mjedisit.
Qeveria gjermane dhe ajo daneze do të financojnë së bashku ndërtimin, ndërsa puna që do të nisë në 2014-n pritet të përfundojë brenda gjashtë vitesh.
Buxheti fillestar është planifikuar të jetë 4,2 miliardë euro. Tuneli do të ndërtohet midis ishullit danez të Lolandit dhe atij gjerman të Fehmarnit.
Të dy ishujt janë të lidhur me ura, me vendet e tyre përkatëse, por lidhja e vetme midis tyre bëhet nëpërmjet trageteve.
Top Channel