Situata dramatike në Egjipt dhe dhuna që ka shpërthyer në atë vend ka bërë që sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton të heqë dorë nga vizita e saj në Athinë.

Lajmi bëhet publik prej Ministrisë greke të Jashtme, burime pranë së cilës deklaruan se pala amerikane ka vendosur të anulojë vizitën e shefes së diplomacisë amerikane, në mënyrë që t’i kushtojë vëmendje më të madhë situatës në Egjipt.

Sipas ministrisë, sekretarja e Shtetit do të kthehet sërish në Uashington nga Mynihu, ku do të marrë pjesë në takimin për sigurinë europiane. Pala amerikane njoftoi se së shpejti do të ketë një datë të re për vizitën e zonjës Clinton në Ballkan.

Lidhur me situatën në Egjipt, e njëjta ministri njoftoi se ka filluar evakuimin e shtetasve grekë nga Aleksandria, ndërsa dy avionë “C-130” të forcave ajrore greke janë në gatishmëri për evakuimin e grekëve nga Kajro dhe rrethinat e saj, nëse situata përkeqësohet gjatë orëve në vazhdim.

Pas protestave të dhunshme në Tunizi dhe Egjipt, autoritetet greke i tremben një vale të re emigrimi, ndaj dhe kanë kërkuar prej Bashkimit Europian shtyrjen edhe për tre muaj të tjerë të qëndrimit të forcës së ruajtjes së kufirit, Frontex.

Top Channel