Policia serbe ka arrestuar sot ish-shefin e drejtorisë së sigurimit të ushtrisë së Jugosllavisë, Aca Tomic.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat serbe, sipas të cilave arrestimi u krye pasi Tomic akuzohet se ka ndihmuar në fshehjen e gjeneralit Ratko Mlladic, i kërkuar për krime lufte.

Sipas burimeve, arrestimi i oficerit, i cili do të merret në pyetje lidhur me vendndodhjen e Mlladic, u bë me urdhër të prokurorit për krimet e luftës, Vladimir Vukcevic.

Aca Tomic ka një karrierë të gjatë në radhët e Armatës Popullore Jugosllave. Në fillim të viteve ’90 ai u vendos në komandën e mbrojtjes së Beogradit në pozitën e zëvendësshefit.

Në vitin 1993 ai kaloi në seksionin e kundërspiunazhit të UJ-së, ndërsa katër vjet më vonë u dërgua në Prishtinë për të drejtuar grupin e kundërspiunazhit.

Emri i tij është lakuar shumë lidhur me disa incidente të rënda të ndodhura në Serbi pas vitit 2000, mes të cilave edhe vrasja e ish-kryeministrit Zoran Gjingjic.

Top Channel