Përfaqësuesit e SHBA dhe BE në Shkup kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me mosfunksionimin e dialogut politik në Maqedoni, pas bojkotit që partia më e madhe e opozitës i bëri Parlamentit.

Ambasadori amerikan Philip Reeker ka deklaruar se përvec sektorit të drejtësisë dhe medias, që po hasin probleme të shumta, me bojkotin e LSDM-së është vënë në rrezik dhe funksionimi i Parlamentit.

“Mund të them lirshëm se mediat e pavarura dhe gjyqësori, që janë dy elementët kryesorë të demokracisë, po ballafaqohen me shumë probleme. Ndërkohë, edhe Parlamenti, si organ ligjvënës, po përballet me probleme. Presim që institucionet në Maqedoni të reagojnë”, ka deklaruar Reeker pas një takimi të zhvilluar sot me kryeministrin Nikolla Gruevski.

Ndërkohë, misioni i BE-së në Shkup, përmes një komunikate për shtyp i ka bërë thirrje LSDM-së që të kthehet në Parlament, “pasi ai është vendi i deputetëve dhe aty mund të sigurohet integrimi i vendit dhe dialogu politik”.

Top Channel