Raportuesi i KiE, Dick Marty ka deklaruar se raporti i tij mbi trafikun e armëve, drogës dhe organeve njerëzore nuk ka si qëllim ofendimin e popullit kosovar.

Në një intervistë të botuar sot nga e përditshmja kosovare “Zëri”, Marty është shprehur se në raportin e tij nuk është lexuar ajo pjesë që vlerëson luftëtarët e UCK-së.

“Në raportin tim kam thënë që shumë prej ushtarëve të UCK-së kanë luftuar në mënyrë patriotike, por për fat të keq, askush në media nuk e citon këtë gjë”, ka deklaruar Marty.

Senatori zviceran u ka sugjeruar gazetarëve që të lexojnë me vëmendje raportin e tij, në vecanti pikën 32, ku flet për luftën e UCK-së.

“Të lexohet raporti edhe një herë për të bërë dallimin mes asaj që them për disa udhëheqës të Kosovës dhe asaj për popullin e saj”, ka pohuar Marty.

Nga ana tjetër, ai ka shtuar se akuzat ndaj lidershipit kosovar nuk i tërheq dhe se i bazon ato në institucione të besueshme ndërkombëtare.

“Në vitin 1999, “Neë York Times” dhe “The Guardian” kanë raportuar për veprimtarinë kriminale të atij që tani është kryeministër i Kosovës. Këto artikuj kanë qenë të mbështetur në raportet e FBI-së. Pse atëherë nuk është reaguar”, është shprehur Marty.

Top Channel