Gazetarët maqedonas të televizionit A1 kanë ngritur studion përpara godinës së qeverisë në Shkup, në shenjë proteste ndaj kryeministrit Gruevski, duke e akuzuar atë për shkelje të fjalës së lirë dhe lirisë së medias.

Punonjësit e A1 zgjodhën këtë formë për të protestuar ndaj mbylljes një ditë më parë të llogarisë bankare të televizionit nga ana e Gjykatës Themelore, ku u ngrinë 4.5 milionë euro.

Prokuroria akuzon pronarin e këtij televizioni, Velia Jankovski për evazion fiskal që i ka kushtuar shtetit rreth 5 milion euro.

“Edhe përkundër thirrjeve të faktorit ndërkombëtar për të mos ia mbyllur gojën një televizioni të pavarur, jemi dëshmitarë se një gjë e tillë është duke ndodhur. Do të vazhdojmë që të gjitha emisionet t’i transmetojmë para qeverisë sa të kemi forcë. Sulmi ndaj A1 është sulm ndaj demokracisë në Maqedoni”, deklaroi Biljana Stavrova, redaktore në televizionin A1.

Në muajin dhjetor, pronari i TV A1 u arrestua me akuzën e evazionit fiskal.

Ndërkohë, qeveria maqedonase iu kundërpërgjigj akuzave të gazetarëve të A1 se qeveria nuk ka kompetenca për dhënien e vendimeve të tilla.

Top Channel