Misioni EULEX në Kosovë ka nisur hetimet paraprake mbi akuzat e raportuesit të KiE, Dick Marty, për trafik organesh njerëzore nga lidershipi kosovar.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë misioni, përmes një njoftimi për shtyp, ku ndër të tjera ka deklaruar se është plotësisht në gjendje që të kryejë hetimet.

“EULEX i merr shumë seriozisht pohimet e bëra në raportin e përgatitur nga Dick Marty. EULEX ka kapacitetet, ekspertizën, lokacionin dhe juridiksionin për të bërë shqyrtimin gjyqësor. Ne jemi të gatshëm dhe në gjendje që ta marrim përsipër këtë përgjegjësi dhe si një hap teknik e fillestar, prokurorët tanë kanë nisur hetimet e para”, thuhet në njoftim.

Por EULEX ka përsëritur apelin e bërë disa herë ndaj Marty, që të dorëzojë provat dhe dëshmitë, pasi në të kundërt nuk mund të ketë ndjekje penale.

“Si një mision për sundimin e ligjit, ne punojmë në bazë të fakteve dhe dëshmive. Pa dëshmi nuk mund të bëhet ndjekja penale”, thuhet më tej në komunikatë.

Top Channel