
Makina e re me të cilën Ferrari do të garojë në Botërorin e vitit 2011, e quajtur F150, u prezantua pak minuta më parë në Maranello, Itali.
Emri F150 është vendosur për të nderuar Italinë, e cila gjatë këtij viti do të festojë përvjetorin e 150 të bashkimit. Ndonëse është një evolim i makinës së vitit të shkuar, Ferrari 2011 do t’i ngjajë më shumë një makine të dekadës së viteve 1990.
”Kokëkuqja” ka braktisur dizenjon e saj të ulët, duke ofruar një makinë më të ngritur se ajo e një viti më parë. Diçka tjetër që bie në sy është një flamur i madh italian mbi makinë.
Shefi i dizenjimit të F150, Nicolas Tombazis, deklaroi: “Ndryshimi më i madh qëndron në faktin se është ngritur pjesa e përparme. Shasia dhe amortizatorët do ta mbajnë makinën më lart mbi tokë.
Ka ndryshuar edhe pjesa e difuzorit, ndërsa sistemi KERS është më i vogël, por më i efektshëm. Këndi i shikimit të pilotit do të jetë pak më i lartë. Të gjithë këto ndryshime i bëmë duke patur parasysh disa probleme që kishte makina e vitit të shkuar”.
F150 do të jetë edhe një model më ekonomik se ai i një viti më parë, pasi do të jetë në gjendje të përdorë më pak benzinë, për të njëjtën distancë. Ndryshimi është bërë i mundur falë disa modifikimeve në motor dhe gomave të reja Pirelli, të cilat favorizojnë një konsum më të ulët.
Top Channel