Lëvizja qytetare “Zgjohu” ka mbajtur sot një tubim para ambasadës shqiptare në Shkup, për të shprehur shqetësimin lidhur me ngjarjet e 21 janarit në Tiranë.

Këtij tubimi i janë përgjigjur një numër i madh qytetarësh dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Organizatorët e kësaj proteste thanë se aferat korruptive, parregullsitë zgjedhore dhe pakënaqësitë, në asnjë mënyrë nuk justifikojnë dhunën.

“Imazhi i shqiptarëve gjithandej buron nga Tirana zyrtare dhe skenat e 21 janarit shkundën themelet e shqiptarëve kudo që ndodhen, duke dobësuar pozicionet tona të cilat po sulmohen cdo ditë e më ashpër”, ka deklaruar drejtuesi i lëvizjes “Zgjohu”, Artan Grubi.

Ai dhe pjesëmarrësit e tjerë kanë vlerësuar në vecanti veprimin e policit që gjatë demonstratës shpëtoi flamurin shqiptar që u përdor si një objekt i rëndomtë nga protestuesit.

“Këtë imazh më 21 janar e shpëtuan organet shtetërore dhe në vecanti polici Amarildo Yzeiri, i cili rrezikoi sigurinë e vet për të ngritur flamurin kombëtar nga toka, pasi cuditërisht ishte sulmuar me flamur nga ana e protestuesve. Ai mbrojti me përkushtim simbolin që bashkon të gjithë shqiptarët, flamurin kuqezi”, ka shtuar Grubi.

Top Channel