“Asnjë nga shtetasit shqiptarë që mundohen t’i fshihen drejtësisë britanike nuk do të mund të jenë të suksesshëm”. Kështu është shprehur detektiv inspektori Nick Sumner i cili hetoi vrasjen e një qytetari britanik me autor një shqiptar.

Gerald Mitre, mëngjesin e 2 janarit 2006, goditi me thikë për vdekje Aron Stokes pasi besonte se ai kishte nisur një lidhje me motrën e tij.

Menjëherë pas krimit 25 vjeçari nga Durrësi do të largohej nga Anglia duke i shpëtuar drejtësisë britanike për 6 vjet.

Policia e Kosovës disa ditë më parë bëri të mundur arrestimin e Gerald Mitres i cili në Angli përdorte emrin Aldo Aliaj.

Gjatë javëve në vazhdim pritet ekstradimi i tij në Tiranë.

Provat e siguruara për këtë vrasje në jug të Londrës iu paraqitën nga oficerët e Scotland Yard, gjykatës së Tiranës në vitin 2009 nga ku Gerald Mitre më pas është dënuar në mungesë me 14 vite burg.

“U gëzova shumë kur m’u tregua për arrestimin e vrasësit të djalit tim. Kemi kaluar shumë vite të vështira duke pritur drejtësi për vrasjen e pakuptimtë të Aronit. Na ka munduar shumë gjatë gjithë këtyre viteve fakti se jeta e tij u ndërpre tragjikisht dhe se vrasësi ishte i lirë”, është shprehur nëna viktimës Marilyn Stokes.

Gjatë 10 viteve të fundit 13 shtetas shqiptarë janë dënuar nga gjykatat në Angli me dënime të ndryshme për vrasje të shtetasve britanikë.

Vitin e fundit në 8 raste, oficerët e policisë britanike i kanë paraqitur gjykatave shqiptare provat për krime të emigrantëve shqiptarë duke siguruar dënimin në mungesë ndaj tyre ose dënimin në prezencë në ato raste kur policia shqiptare ka prangosur të kërkuarit e drejtësisë britanike.

Top Channel