E përditshmja britanike “The Guardian”, duke iu referuar dokumenteve sekrete të NATO-s, sulmon sërish kryeministrin e Kosovës Hashim Thaci, të cilin e cilëson si “peshkun e madh” të krimit të organizuar kosovar.

Gazeta prestigjoze inkriminon edhe Xhavit Halitin, zyrtar i lartë i partisë së Thacit, që në raportin e Dick Marty konsiderohet si një pjesëtar i grupit kriminal të Drenicës.

Sipas “The Guardian”, qeveritë e vendeve perëndimore për vite të tëra kanë qenë në dijeni të lidhjeve të qeverisë së Kosovës me krimin e organizuar.

“Xhavit Haliti është një person i lidhur me mafian shqiptare dhe është ai që kontrollon Hashim Thacin”, shkruan gazeta londineze.

Por një përfaqësues i qeverisë së Kosovës, i cituar nga e njëjta media, i ka hedhur poshtë këto akuza të bëra prej një dekade dhe të ricikluara së fundmi nga Dick Marty.

“Ato janë të bazuara në thashetheme dhe në raporte false të inteligjencës serbe. Kryeministri i Kosovës vazhdimisht ka shprehur gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me autoritetet ligjore për këto akuza skandaloze”, ka deklaruar zyrtari.

Top Channel