Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka nisur diskutimet mbi raportin e senatorit Dick Marty, që akuzon lidershipin e UCK-së për trafik organesh njerëzore.

Gjatë fjalës së tij, Marty ka deklaruar se raportin e tij e ka hartuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të vënë drejtësi për viktimat e këtij trafiku.

“Raporti nuk flet për statusin e Kosovës, nuk flet për marrëdhëniet mes shqiptarëve e serbëve dhe për krimet e Milloshevicit. Ai është një raport që flet për shkelje të të drejtave të njeriut. Ka pasur kombe dhe shtete që janë ndjerë të fyer, por këtë unë e kam bërë për të afërmit e viktimave dhe për dënimin e kriminelëve”, ka deklaruar Marty.

Më pas ai ka denoncuar eleminimin sipas tij të dëshmitarëve që mund të konfirmonin akuzat në raportin e tij.

“Dëshmitarë nga pala serbe apo shqiptarë janë zhdukur dhe këto fakte ne nuk mund t’i anashkalojmë”, ka pohuar Marty, duke përfshirë në fjalimin e tij edhe Shqipërinë, ku sipas tij kryheshin transplantet e organeve.

“Si raporti im ka edhe raporte te BBC dhe EULEX për persona të grabitur dhe të burgosur në kampet e përqendrimit në veri të Shqipërisë. Viktimat kanë qenë serbë por edhe shqiptarë të Kosovës, që janë konsideruar si tradhtarë për shkak se kanë bashkëpunuar me serbët”, ka shtuar Marty.

Ndërkohë, zyrtarë të tjerë evropianë kanë reaguar duke kërkuar nga Marty që t’ia dorëzojë provat dhe dëshmitë e tij autoriteteve hetimore.

“Ne duam një hetim ndërkombëtar lidhur me hetimin e akuzave të Dick Marty dhe mbrojtje të dëshmitarëve”, ka deklaruar një zyrtar evropian.

Top Channel