Jemeni duket se ka ndjekur shumë shpejt shembullin e Tunizisë, ndonëse jo në të njëjtat përmasa.
Mijëra protestues u mblodhën në kryeqytetin e vendit, Sana, me thirrjet për largimin e presidentit Ali Abdallah Saleh.
Saleh është në këtë post prej 32 vjetësh, edhe më gjatë se homologu i tij tunizian i rrëzuar nga protestat popullore.
Kjo është e para sfidë publike e përmasave të tilla për kreun e shtetit të Jemenit.
Këta njerëz kanë përse ankohen: vendi me një popullsi prej 23 milionë banorësh, është më i varfri i botës arabe.
Qeveria aty konsiderohet e korruptuar kokë e këmbë e po kështu, aleanca e ngushtë me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër Al Kaedës, nuk shihet me sy të mirë.
Liria politike është e mangët, e nga ana tjetër, jemenitet kanë edhe një problem jetik: vendit po i mbarojnë rezervat e ujit.
Pavarësisht pakënaqësive, thirrjet për largimin e Salehut, kanë qenë deri më tani një vijë e kuqe, që shumë pak disidentë kanë guxuar ta testojnë.
Duke pasqyruar qartë darën e hekurt të qeverisë aktuale dhe forcave të sigurisë në kryeqytet, demonstrata nuk u zhvillua në rrugët e tij, por u kufizua në territorin e universitetit të Saanas.
Rreth 2500 studentë, aktivistë dhe grupe opozitare u mblodhën aty me thirrjet për largimin e presidentit, të cilin e krahasuan me Ben Ali-në.
“Largohu Saleh – tëerrisnin ata – shko pas mikut tënd”, ndërsa kërkuan edhe ndryshime në Kushtetutën e vendit, që i lejon presidentit të mbajë këtë post për gjithë jetën.
Ashtu si regjime të tjera në botën arabe, edhe qeveria jemenite nuk është shumë tolerante ndaj kundërshtarëve.
Policia shpërndau turmën me gaz lotsjellës e shkopinj gome, ndërsa 30 vetë përfunduan në pranga.
Top Channel