Brenda gjashtë ditësh, gjashtë persona kanë humbur jetën në Greqi nga gripi i derrit, katër prej të cilëve kanë pasur historik të rënduar shëndetësor.

Dy viktimat e fundit janë një vajzë 14-vjeçare që kurohej në një spital të Athinës dhe një 56-vjeçar që kurohej në spitalin e Larisës.
 
Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive, 34 persona janë shtruar në 22 ditët e para të muajit janar në repartet e reanimacionit në të gjithë vendin me simptomat e gripit në fjalë, prej të cilëve 16 janë ende nën kujdesin e mjekëve.
 
Specialistët grekë sqarojnë se numri i rasteve me virusin AH1N1 është brenda kufijve normalë dhe nuk ka shënuar atë rritje të viktimave që është regjistruar në përhapjen e epidemisë të vitit 2009.
 
Cdo vit në Greqi regjistrohen 140 raste vdekjeje nga gripi i zakonshëm, kurse vitin e kaluar numri i viktimave nga epidemia e gripit të derrit, mbërriti në 170 persona të cilët shfaqën edhe komplikacione të tjera shëndetësore.

Edhe njëherë mjekët u kanë bërë thirrje personave që u përkasin grupmoshave të rrezikshmërisë së lartë të vaksinohen, ndërsa në gjithë vendin vazhdon të ekzistojë mosbesimi për efikasitetin dhe efektet anësore të vaksinës në fjalë.

 

Top Channel