
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama doli në një konferencë për shtyp pas mesnatës ku akuzoi kryeministrin Berisha për vrasjen e 3 demonstruesve gjatë protestave të ditës së djeshme.
Rama, duke iu referuar videove në qarkullim në media tha se doli me zë e figurë tmerri i ditës së premte dhe akuzoi Berishën se nëpërmjet Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha preu jetën e tre të pafajshmëve.
“Tmerri i ditës doli me zë e figurë, njësoj si llumi i matrapazllëkut të ditëve më parë. Dora e Saliut përmes Lulit të tij preu jetë të pafajshme. Sali, ku i ke provat që nxorre për opozitën e për mua personalisht?”, tha Rama.
Më tej kreu socialist i bëri apel kryeprokurores, Ina Rama që të hetojë pamjet.
“Zonja Ina Rama i pe pamjet e vrasjeve të shqiparëve që në mesnatë lemerisën gjithë Shqipërinë e në mëngjes do lemerisin gjithë botën? I pe pamjet ku vriten si kuajt në mesjetë qytetarët e pafajshëm? Unë akuzoj Sali Berishën si organizuesin e kësaj kasaphane, akuzoj Lulzim Bashën për shpërdorim detyre dhe si njeriun që duhet të përgjigjet për vrasjen e 3 të pafajshmëve”, shtoi më tej Rama.
Në përfundim të deklaratës së tij të shkurtër për mediat, Rama ftoi shqiptarët të nderojnë viktimat e ditës së djeshme.
Top Channel