
Drejtoria e Policisë së Tiranës ka fajësuar organizatorët e demonstratës për dhunën që u verifikua dje para selisë së kryeministrisë.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e policisë Alma Katragjini ka deklaruar se nga ana e saj, policia i kishte marrë të gjitha masat për ruajtjen e rendit.
“Drejtoria e policisë së Tiranës, bazuar në kërkesën e PS, mori të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e qetësisë publike. Pas grumbullimit para kryeministrisë, grupe protestuesish, të nxitur nga organizatorët e protestës, sulmuan me gurë policisë. Ata përdorën bomba molotov, mjete gazsjellëse dhe gurë. Ndërsa policia ruajti gjakftohtësinë”, ka pohuar Katragjini.
Zëdhënësja ka bërë bilancin e viktimave të demonstratës, si dhe atë të personave të arrestuar pasi janë konsideruar përgjegjës për aktet e dhunës.
“Tre qytetarë gjetën vdekjen dhe 42 agjentë u plagosën. Për hetimin e të gjitha cështjeve është ngritur një grup nga prokuroria e Tiranës, që do të zbardhë vrasjen e tre shtetasve në demonstratë. Ndërkohë, për konsumimin e veprave penale si “kundërshtim i forcave të rendit” dhe “rrezikim të sigurisë publike” janë arrestuar 113 persona”, ka shtuar Katragjini.
Top Channel