Në një letër dërguar Këshillit të Europës, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar nisjen e hetimeve rreth akuzave të Dick Marty-t.

Zoti Thaçi shpreh gatishmërinë e tij për të ndihmuar në këtë proçes, por thotë se hetimet duhet t’i kryejë EULEX.

Letra e botuar në shtypin e ditës në Prishtinë mban datën 13 janar dhe i drejtohet Thorbjorn Jagland, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Europës.

“Duke pasur parasysh se draft – raporti përmban një numër të akuzave serioze, unë besoj se këto pohime nuk duhet të mbeten pa përgjigje. Për këtë arsye, si qenie njerëzore dhe si kryeministër i Republikës së Kosovës, shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjitha autoriteteve kompetente, në veçanti EULEX-it, të bëjnë gjithçka që është e mundur për të zbuluar se çfarë ka ndodhur”, ka shkruar Thaçi në letrën e cituar nga gazeta “Express”.

Kryeministri në largim ka ofruar bashkëpunimin e qeverisë së Kosovës kur të bëhen hetimet.

Në letër duket se është përdorur një gjuhë më e butë nga deklaratat publike të kryeministrit rreth çështjes “Marty”.

Siç citohet letra në shtyp, Thaçi thotë se e falenderon Këshillin e Europës për mundësinë që raporti i Marty-t ofron për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë pohimet skandaloze që i kanë nxirë reputacionin Kosovës për shumë vjet si dhe kërkon ndihmë për mbrojtjen e dëshmitarëve potencialë.

    

Top Channel