Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle deklaroi se Beogradi po hyn në proçesin e bisedimeve me Bashkimin Europian.

Gjatë debatit të së martës në sesionin e Parlamentit Europian, për Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me Serbinë, Fyle tha se objektivi i këtij pakti është t’i hapë rrugën integrimit dhe reformave të metejshme.

“Nga pikëpamja ekonomike – tha Fyle – marrëveshja parashikon vendosjen graduale të një zone të tregtisë së lirë dhe integrimin shkallë-shkallë të Serbisë në Bashkimin Evropian. Kjo do të ishte e dobishme si për BE-në edhe për Serbinë”.

Sipas tij, “vendosja e marrëdhënieve më të ngushta me Serbinë sjell një numër avantazhesh të reja për BE-në, lehtëson bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, të lirisë dhe sigurisë, mjedisit, transportit dhe doganave”.

“2011-a është një vit i rëndësishëm për Serbinë. Një vit sfidash të vështira, por edhe një vit mundësish. Rruga është përcaktuar dhe objektivat janë të njohura. Varet nga Serbia për të ecur në këtë rrugë, për të përbushur kriteret”.

Fyle shprehu bindjen se Serbia do të vazhdojë të bëjë zgjedhjen e drejtë evropiane dhe të ecë në rrugën e përpjekjeve të saj të integrimit. Kjo, tha ai, do t’i japë një mesazh pozitiv gjithë rajonit.

Zëvendëskryeminstri serb për integrimin europian, Bozhidar Djeliç tha të martën në Strasburg se viti 2011 do të jetë i jashtëzakonshëm për Serbinë dhe se Beogradi ka në plan të fillojë dialogun e shumë – pritur me Kosovën për të arritur rezultate konkrete.

Bashkim i Evropian e cilëson marrëveshjen me Kosovën dhe bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian.

Votimi i pritshëm i së mërkurës, pro Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit do të shënojë, sipas analistëve, një hap të rëndësishëm për Serbinë në synimet e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

 

 Përgatiti: Arta Tozaj 

Top Channel