Milan-i studion shkëmbimin Pato-Balotelli

18/01/2011 11:05

Dëmtimet e shpeshta dhe rendimenti jokonstant kanë bindur Milan-in që të dëgjojë oferta për yllin e tij Alexandre Pato, raportoi mëngjesin e sotëm rrjeti informativ në pronësinë e Berlusconi-t, Mediaset.

Raportet e klubit me brazilianin, në vitin e tij të tretë tek kuqezinjtë, nuk janë më të njëjtat. Edhe pse zyrtarisht ai konsiderohet si i pashitshëm, përflitet gjithmonë e më shumë mundësia e një shkëmbimi me Mario Balotelli-n.

Ish-interisti ka shprehur disa herë vullnetin e tij për të luajtur një ditë me skuadrën e rrugës Turati dhe raportet e tij jo të mira me trajnerin Mancini e bëjnë hipotezën gjithmonë e më të mundshme.

Nëse Pato do të nxirret në shitje, Chelsea do të jetë gjithashtu shumë i interesuar, pasi Carlo Ancelotti është duke kërkuar dikë që të mund të zëvendësojë 33-vjeçarin Didier Drogba në të ardhmen.

Në rast se do të realizohet këmbimi me SuperMario-n, atëherë tek Milan-i do të riformohet dyshja Ibrahimovic-Balotelli, e cila luajte bashkë dy sezone më parë tek Inter-i.

Top Channel