Kryeministri bullgar Boiko Borisov është shprehur gjithmonë i hapur për përgjimin, si instrument të sprovuar kundër korrupsionit e madje dhe pati urdhëruar përgjimin e të gjithë ministrave të tij.

Por kreu i ekzekutivit bullgar është bërë së fundmi pre e asaj që vetë trumpetonte me forcë. Skandali i fundit që ka plasur në vend ka për protagonist vetë shefin e qeverisë, që akuzohet se ka ushtruar presion ndaj autoriteteve doganore për të favorizuar partinë në pushtet.

E përjavëshmja bullgare “Galeria” dhe ish-bashkëpunëtori i “Deutsche Welle”, Yavor Datchkov, bënë që dy ditë më parë në Sofje të shpërthente një bombë e vërtetë mbi një bisedë të kryeministrit me shefin e doganave, Vanio Tanov.

Në bisedë përmendet një aksion i doganierëve në fabrikën e birrës së një biznesmeni, aksion të cilin Borisov nuk e dëshironte.

Në kasetë ai dëgjohet teksa i kërkon kryedoganierit të tërheqë njerëzit e tij e të pezullojnë veprimet ndaj fabrikës në fjalë.

Prej javësh në gazeten “Galeria” po publikohen regjistrime dhe protokolle telefonatash, të cilat besohet se i ka zhvilluar shefi i doganave.

Në to dëgjohen edhe kërkesat e përfaqësuesve të partisë në pushtet, për të instaluar në poste kyçe të doganave njerëz besnikë të partisë, por që janë krejtësisht të pakualifikuar për postet në fjalë.

Regjistrimet janë bërë me shumë gjasa në kuadër të aksioneve legale të përgjimit. Borisov, tanimë i prekur vetë, e sheh sipërmarrjen si përpjekje për të destabilizuar qeverinë e tij.

Por një gjë është e sigurtë, thotë “Deutche Welle”, skandali i përgjimeve, akuzat për korrupsion dhe mënyra se si dalin në publik informacione sekrete të policisë nuk janë rekomandim i mirë për një anëtarësim të afërt të Bullgarisë në zonën Schengen.

Top Channel