Për herë të parë në dy vitet e fundit opinioni publik në Greqi pozicionohet në një masë tepër të madhe kundër emigrantëve të paligjshëm.

Sipas tre sondazheve që u botuan në shtypin e së dielës, pro ndërtimit të klonit në lumin Evro janë 8 ndër dhjetë vetë, sipas gazetës “To Ethnos”, 89,5% kërkon dëbimin e gjithë emigrantëve ilegalë dhe 86,5% operacione fshesë në qendër të Athinës.

Në shifra të përafërta janë edhe sondazhet që publikojnë gazeta “To Thema” dhe “Kathimerini”.

Problemi i mbërritjes së qindra mijëra emigrantëve ilegalë dhe vendosja e tyre në disa prej lagjeve të qendrës së Athinës, ka shkaktuar prej kohësh reagimin e banorëve vendas, të cilët theksojnë se Greqia në momentet e krizës ekonomike nuk mund të pranojë një numër kaq të madh emigrantësh të huaj, që enden të pakontrolluar kudo dhe jetojnë në kushte çnjerëzore.

“Grekët nuk po jetojnë mirë. Paguajnë taksa. Kanë shumë shpenzime. Cilësia e jetës ka rënë shumë në Greqi. Ndërsa numri i atyre që vijnë është tashme i pakontrollueshëm”, shprehet Nikolaos Sofos, banor i qendrës.

Pas një mitingu paqësor në lagjen Propilea të Athinës, të organizatave antiraciste kundër ndërtimit të gardhit me tela me gjemba në kufirin greko turk, organet e policisë janë përleshur në qendër të kryqeytetit grek, me dhjetëra anëtarë të organizatës ultranacionaliste “Hrisi Avgji” (Agimi i artë) e cila nga ana e saj mbështet jo vetëm këtë plan të qeverisë greke, por kërkon edhe debimin e gjithë emigrantëve ilegale në vend.

Zyrtarisht 128 mijë emigrantë hynë në mënyre ilegale nga Turqia në Greqi në vitin e kaluar, numri më i madh që është regjistruar në një shtet të BE-së.

Top Channel