Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle ka shprehur mbështetjen e plotë të vendit të tij ndaj Greqisë, në përpjekjet e saj për të dalë nga kriza.

Westerwelle e ka bërë deklaratën e tij gjatë një vizite të shkurtër zyrtare në Athinë, ku ka shprehur vlerësimin e tij për sakrificat që po bën populli grek.

Shefi i diplomacisë gjermane është takuar me kryeministrin Lukas Papadhimos, liderin e Demokracisë së Re, Antonis Samaras dhe homologun Stavros Dhimas.

Deklaratat e Westerwelle vijnë një javë pas atyre të kancelares Anglea Merkel, e cila i bëri thirrje Athinës që të miratojë sa më shpejt paketën financiare të radhës dhe planin për ristrukturimin ekonomik.

“Ndryshe, nuk do të jemi në gjendje që të paguajmë këstin e radhës për Greqinë”, paralajmëroi kancelarja, gjatë një konference për shtyp nga Berlini me presidentin francez Nicolas Sarkozy.

Shteti helen ndodhet në një pozitë shumë të vështirë. Pak ditë më parë kryeministri Lukas Papadhimos deklaroi se Greqia mund të falimentojë plotësisht në mars, nëse sindikatat nuk pranojnë reduktime të mëtejshme të pagave.

“Duhet të reduktojmë pagat në sektorin privat për t’u bërë më kompetitivë, përndryshe do të falimentojmë duke dalë edhe nga eurozona”, paralajmeroi ai në një takim me përfaqësuesit e industrialistëve grekë dhe të Unionit të Sindikatave të sektorit privat, që shprehën kundërshtimet e tyre.

Ndërsa më herët gjatë vitit, profesori gjerman i cështjeve ekonomike dhe një ndër arkitektët e monedhës së euros, Otmar Issing deklaroi se Banka Qendrore Europiane ishte paralajmëruar për risqet që do të përballej monedha e përbashkët dhe se me largimin e Greqisë, euro do të mund të dilte nga kriza.

Top Channel