Zëvëndësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker ka ardhur në Kosovë gjatë së hënës dhe është takuar me dyer të mbyllura me zyrtarë qeveritarë.

Fillimisht ai është takuar me kryeministrin Hashim Thaçi dhe më pas edhe me zëvëndëskryeministren Edita Tahiri, e cila udhëheq ekipin kosovar në dialogun me Serbinë.

Në një komunikatë për media të kabinetit të kryeministrit Thaçi thuhet se ky i fundit njoftoi zotin Reeker për dialogun teknik me Serbinë në Bruksel, për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe për përmbushjen e parakushteve për hapjen e perspektivës euroatlantike.

Në takim po ashtu u bisedua për thellimin e bashkëpunimit rajonal të Kosovës, për vazhdimin e reformave dhe zhvillimin ekonomik.

Diplomati amerikan Reeker ritheksoi mbështetjen e qeverisë amerikane për zhvillimin dhe afirmimin e mëtejshëm të shtetit të Kosovës, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Ndërsa, nga kabineti i zëvëndëskryeministres Tahiri nuk ka pasur ndonjë komunikatë për të treguar se cilat kanë qenë temat e takimit.

Kjo është hera e dytë që zoti Reeker viziton Kosovën në cilësinë e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, pasi këtë e kishte bërë gjatë gushtit tëvitit 2010.

Top Channel