Greqi, evitohen sulme terroriste

16/01/2011 12:45

Një organizatë të re terroriste ka asgjesuar policia greke që ka arrestuar në Athinë dy ditë më parë, pesë të rinj të cilët janë çuar më pas, nën masa të rrepta sigurie në Prokurorinë e Selanikut.

Bëhet fjalë për katër studentë nga Selaniku dhe një 27-vjeçare, shtetase gjermane.

Pas hetimeve të policisë në bazën e tyre në Athinë, por edhe në shtëpitë e tyre në Selanik, ku edhe banonin, organet greke të rendit kanë deklaruar se me këto arrestime kanë parandaluar sulme të reja terroriste, që ishin planifikuar të kryheshin në Athinë dhe Selanik, ditën e hënë me fillimin e gjyqit të 6 anëtarëve të organizatës terroriste “Komploti i Celulave të Zjarrit”, që janë arrestuar para disa javësh.

Sipas policisë, grupi i ri thuhet se ka kryer sulme me bomba në zyrat politike të deputetëve të Selanikut. Përgjatë gjithë natës në këtë qytet policia ka kontrolluar shtatë shtëpi të studentëve, por edhe të shokëve të tyre dhe ka konfiskuar armë, fishekë, karta krediti, para, telefona celularë dhe disqe kompjuterash, në të cilat janë gjetur emra gjykatësish dhe adresa të rajoneve të policisë.

Organet e rendit vlerësojnë se ky grup ka pasur lidhje me organizatën terroriste “Komploti i Celulave të Zjarrit” që ka marrë përgjegjësinë për sulmin me pakot-bomba në ambasadat e huaja në Athinë në nëntorin e kaluar.
 
Vetëm në dy vitet e fundit mbi 20 persona janë arrestuar në Greqi me akuzën e pjesëmarrjes në grupet ekstremiste të majta, të cilat kanë përshkallëzuar sulmet e tyre me bomba në ndërtesa qeveritare apo gjykata, sidomos pas trazirave të dhjetorit të vitit 2008 në të gjithë vendin.

Top Channel