Si do ta bëjnë institucionet e Kosovës regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive familjare edhe në pjesët e banuara me serbë e sidomos në Veriun e Kosovës ku mungon autoriteti i Prishtinës zyrtare? A do të mundet që Serbia ta bëjë një regjistrim të tillë, siç ka paralajmëruar?

Këto janë pyetjet që bëhen në kohën kur kanë mbetur më shumë se 3 muaj që nga fillimi i regjistrimit të popullsisë në shtetin e Kosovës dhe thirrjeve nga zyrtarët shtetërorë të Serbisë për bojkotim të këtij proçesi nga serbët dhe premtimin e tyre për një regjistrim tjetër.

“Po hulumtojmë ato modele për të parë se nëse ballafaqohesh më një situatë të tillë, atëherë si duhet të gjendet zgjidhja. Unë mendoj se jemi shumë afër gjendjes së modalitetit dhe në një koha të caktuar do ta bëjmë publike se si do të jetë qasja. Por ju garantoj se ajo do të jetë gjithëpërfshirëse dhe jam e bindur se edhe serbët e pjesës veriore që e kanë hamendje, do të pranojnë jo vetëm të marrin pjesë në regjistrim, por edhe të pranojnë realitetin e Kosovës”, është shprehur Edita Tahiri, ministre në largim e Administratës Publike.

Në anën tjetër, sipas zonjës Tahiri, regjistrimin e paralajmëruar nga Serbia është një tendencë për ndërhyrje ilegale dhe i pavlefshëm, meqë Kosova ka mbështetjen ndërkombëtare për këtë regjistrim edhe nga Organizata Ndërkombëtare për Monitorim e Regjistrimit.

Analisti politik Halil Matoshi tregon se në mënyrë që Kosova të ketë sukses të plotë me këtë regjistrim, duhet të arrijë marrëveshje me Serbinë për këtë çështje.

“Duke e parë në kontekstin aktual një regjistrim i tillë mund të bëhet vetëm në pjesën veriore, por jo në pjesën qendrore të Kosoës. Nga ana tjetër edhe Serbia do të dështonte në planin që të regjistrojë të gjithë serbët e Kosovës”, është shprehur Matoshi.

Sidoqoftë regjistrimi i popullsisë dhe ekonomive familjare në Kosovë, bëhet pas plotë 30 vjetësh.

Kryetari i Komisionit Qendror për Regjistrim të Popullsisë, Rifat Blaku, gjatë së enjtes bëri të ditur se kanë hartuar pyetësorin për regjistrim.

Banorët e Kosovës gjatë prillit do të pyeten edhe për përkatësinë kombëtare e fetare. Ndërsa, u mbetet atyre në dorë të deklarohen ose jo.

Top Channel