Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ilir Meta, pas publikimit të videos shokuese në Top Channel, ka njoftuar zyrtarisht sot heqjen dorë nga imuniteti.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Meta është shprehur i gatshëm të hetohet nga organet e drejtësisë së vendit.
“Ju njoftoj zyrtarisht lënien e imunitetit tim, si shprehje e vullnetit politik për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit dhe forcimit të shtetit ligjor”, ka deklaruar Meta, i cili ka bërë të ditur se deklaratën për imunitetin ia ka dërguar tashmë kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli.
Meta e ka cilësuar videon si një “bllof” politik, me qëllim shantazhimin e tij nga krimi i organizuar.
“Dua t’ju bëj të qartë se ky përgjim, i pështirë si vetë organizatorët dhe trumpetuesit e tij, është kryekëput një bllof i shëmtuar politik dhe moral, që është bërë në kuadër të shantazheve nga krimi i organizuar ndaj personit tim për shkak të detyrave të mija”, ka pohuar Meta, i cili ka sqaruar edhe deklaratat e tij në video lidhur me tenderin e një hidrocentrali.
“Ky përgjim vërtitet rreth një ndërhyrjeje të realizuar gjoja nga personi im kur kam qenë ministër i Jashtëm për interes të një kompanie të caktuar lidhur me një tender për dhënien me koncesion të hidrocentralit Egnatia-Shushica. Ky tender është hapur në këtë Ministri që më 30 prill 2008, ku kanë marrë pjesë 3 bashkime shoqërish të ndryshme. Kjo procedurë tenderimi për 2 vjet ka qenë e bllokuar për arsye se komisioni i ekonomisë kishte bllokuar një nga klientët për synime interesi. Personi në fjalë, që në përgjim konstatohet si Gimi, pasi ka vërejtur zvarritje dhe mosprotokollim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit është drejtuar tek unë, si zëvendëskryeministër dhe kryetar i LSI. Unë këtë problem ia kam propozuar ish-ministrit, duke kërkuar zbatimin e vendimit të Apelit”, ka sqaruar Meta.
Duke pretenduar se ka prova që demaskojnë këtë montazh “të pështirë, politik dhe mafioz”, Meta ka theksuar se do t’ia dorëzojë ato prokurorisë për hetim.
“Provat do t’ia vë në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme, që do t’i kërkoj hetim për këtë video të montuar që është bërë jo vetëm për të më denigruar, por për të më bërë shantazhe dhe për të më ulur mua në pozitën e Edi Ramës dhe krimit të organizuar që ai drejton. Kam vënë në dijeni edhe kryeministrin për shantazhet që më janë bërë përmes gjoja një përgjimi për të bashkëpunuar me organizatorët e kësaj afere mafioze”, është shprehur Meta.
Më tej kreu i LSI-së ka hedhur poshtë edhe materialin audio të videos, ku dëgjohet ai që thotë se do të marrë një shpërblim prej 700 mijë eurosh.
“Nuk kam asnjë koment për interpretimin që u bëhet buzëve të mia, përkthimit të fjalëve nga shqip në shqip, apo fjalëve të cimkës”, ka nënvizuar Meta, duke shtuar se ai dhe puna e tij janë transparentë “si kristali”.
Zëvendëskryeministri dhe kreu i LSI ka pranuar edhe se ka ndërhyrë tek Prifti për emërimin e personave të afërt me të në administratë duke e quajtur këtë një veprim normal dhe detyrim që i rrjedh nga posti i tij si kryetar i LSI.
Top Channel