Deputeti Dritan Prifti konfirmon autenticitetin e videos së transmetuar nga “Fiks fare” ku ai shfaqet me Ilir Metën. Në përgjigje të deklarimeve mohuese të Metës, Prifti thotë se “si dëshmitar i ngjarjes konfirmoj videon e shfaqur në ‘Fiks fare’, ajo është e saktë dhe përmban thënie origjinale të Ilir Metës në bisedën me mua”. (UPDATE)
“Videoja, – thotë Prifti, – është shkurtuar nga versioni origjinal, duke u hequr pjesë të panevojshme, por të gjitha ato që janë transmetuar janë të vërteta”.
Prifti thotë se versionin origjinal do t’ia vendosë në dispozicion Prokurorisë, por edhe ambasadave dhe organizmave të huaja në Shqipëri.
Prifti më pas sqaron disa nga detajet e videos duke treguar se urdhëri për anulimin e tenderit në “Albpetrol” u bë nga Meta në mënyrë që tenderin tjetër ta fitonte miku i tij Bekim Halilaj.
“E kristaltë është videoja dhe jo Ilir Meta”, shkruan ish ministri Prifti.
“Urdhëri kërcënues për të dhënë një konçension hidrocentrali bashkimit të firmave të udhëhequr nga vëllezërit Tola dhe pasuar nga miku tij Agim Rrapaj dhe ortaku i tij Fatmir Merkaj janë të kristaltë në figurë dhe në zë”, shton ish ministri.
Prifti konfirmon si dëshmitar thëniet e Metës se do ndërhynte në Gjykatën e Lartë për këtë konçension dhe se i ishin ofruar 7 përqind si shpërblim.
Sipas Priftit, Meta kishte patur djeni prej muajsh për këtë video dhe sigurisht ai kur u bë vetë ministër nuk mund t’ja jepte atë konçension miqve të tij.
“Kishte frikë – thotë Prifti – që unë një ditë do ta denoncoja”.
Ish ministri sqaron se për këtë ngjarje ka informuar edhe kryeministrin duke i dhënë edhe një kopje të videos, por ai nuk pranoi ta merrte dhe shihte.
Prifti thotë se ka akoma pak shpresë se kryeministri do reagojë pas publikimit të këtij skandali dhe se Berisha duhet të zgjedhë mes vazhdimit të qeverisjes me Ilir Metën, të zhytur në llumin e korrupsionit, apo të shkarkoj atë dhe të kërkoj në Parlament një mbështetje të re.
Për të gjitha akuzat e ngritura Prifti garanton publikun, median dhe institucionet e pavarura të shtetit se ka prova të pakontestueshme.
Top Channel