Sfidat e Maqedonisë për 2012-n

03/01/2011 20:20

Sfidat e Maqedonisë për vitin 2012 janë të shumta, por ajo që shqetëson me tepër vendin është ekonomia.

Sipas parashikimeve të analistëve, Maqedonia këtë vit mund të ballafaqohet me një situatë të rëndë ekonomike.

“Këtë vit Maqedonia do të ketë me tepër probleme në ekonomi, madje ekzistojnë parashikime se në vitin 2012 mund të ketë trazira në sektorin financiar dhe atë bankar. Nëse realizohen këto parashikime në këtë vend, ku aktualisht papunësia është shumë e lartë dhe varfëria shkon në rreth 35 përqind, kjo gjë do të ishte e tmerrshme për qytetarët por edhe për shtetin”, thotë analisti Branko Gerovski.

Viti 2012 nuk pritet të sjellë ndryshime pozitive as në raportet ndëretnike ndërsa nuk përjashtohet mundësia e tensionimit të tyre, sic ka ndodhur në disa raste vitin e kaluar. Analisti Ismail Sinani vlerëson se kryeministri Nikolla Gruevski edhe këtë vit do të vazhdojë të provokojë shqiptarët me politikën e tij.

“Mund të shpikë ndoshta dicka të re nga repertori i tij politik, dicka që mund t’i provokojë shqiptarët kështu që nuk besoj se do të ndryshojnë gjërat rrënjësisht as në raportin ndëretnik, as ndërshtetërore në rajon. Ndoshta me Serbinë mund të ketë një afrim pak më të madh, aq më tepër pas firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit policor”, thotë analisti Sinani.

Një sfidë tjetër e madhe për Maqedoninë këtë vit do të jetë edhe anëtarësimi në NATO. Pozicioni i fortë i Gruevskit rreth problemit të emrit me Greqinë i bën analistët pesimistë se mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive në lëmin e euro-integrimit.

Top Channel