Filmi i fundit në historinë e aparateve fotografike u zbardh sot, në laboratorin e fundit të teknologjisë së vjetër, i cili u mbyll përgjithmonë në mesditë.
Ngjarja ndodhi në Kansas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku filmi i prodhuar nga Kodak u zbardh brenda dhomës së errët. Vetë kompania nuk prodhon më filma të tillë që prej vitit 2009.
Duke nisur që nga viti 1935, Kodak ka shkruar historinë e fotografisë. Filmat e saj u përdorën gjerësisht nga specialistët dhe njerëzit e thjeshtë, pasi ishte në gjendje të ofronte detaje dhe ngjyra që asnjë film tjetër në botë nuk mund të riprodhonte.
Kodak ishte kompania që shpiku edhe aparatin e parë fotografik e filmin e parë me ngjyra të historisë, por ata nuk mundën të krijonin asgjë që mund të konkurronte me zhvillimin marramendës të aparateve dixhitale.
Laboratori i mbetur në Parsons, Kansas, kishte informuar se në fundin e vitit do të mbyllej dhe si rrjedhojë, me dhjetëra mijëra njerëz lanë filma të vjetër gjatë vitit në këtë vend.
53-vjeçari Jim DeNike shpenzoi pothuajse 16 mijë dollarë, për të zbardhur mbi 1 500 filma, për një total prej rreth 50 mijë fotografish, të gjitha me pamje nga trenat.
”Kodachrome nuk ishte vetëm një film, por një ikonë e vërtetë e një epoke, filmi i parë me ngjyra që mund të blihej nga të gjithë”, deklaroi Todd Gustavson, drejtues i një muzeu fotografie pranë laboratorit.
Fotoja e fundit e printuar, nga teknologjia e filmit është ajo e stafit të laboratorit, që duke nisur që prej ditës së sotme duhet të nisin të kërkojnë një punë të re.
Top Channel