Tartari kundër Albana Vokshit

29/12/2010 20:20

Si e argumenton prokuroria vendimin e pushimit të hetimeve disamujore pas deklaratave publike të deputetes Albana Vokshi dhënë gjatë muajve të verës në adresë të Dritan Avllajt?

Dy prokurorët e cështjes shprehen në këtë vendim se në deklaratat e zonjës Vokshi përmblidhen të dhëna të cilat kanë të bëjnë kryesisht me perceptimin e saj personal, në pozicionin e qytetarit si dhe të politikanit, në lidhje me një skemë afere korrupsioni, që nuk është verifikuar përtej këtij perceptimi.

Sipas prokurorëve, ky perceptim është pranuar në dëshminë e dhënë në organin e akuzës edhe nga vetë zonja Vokshi, e cila ka thënë se është njohur nga Venezuela nëpërmjet internetit në shtypin e shkruar shqiptar mbi artikuj që komentonin një kontratë bashkëpunimi mes “Vision Construction” dhe një shtetasi të quajtur Dritan Avllaj, dhe që deputetja, duke qenë se emri i Avllajt ishte denoncuar edhe nga Partia Demokratike, ka arritur në një konkluzion të tillë për të akuzuar Edi Ramën.

Sikurse kishte paralajmëruar se do të fliste në fund të hetimeve, organi i akuzës i dha përgjigjje edhe një debati tjetër që u kthye gjate verës në një lojë mohuese dhe pohuese nga një prej dëshmitarëve më të lakuar të kësaj dosjeje, biznesmeni Rrahman Selmanllari.

Menjëherë sapo biznesmeni dha dëshminë e tij, referuar burimeve jozyrtare, TCH publikoi dëshminë e tij në të cilën ai thoshte se e njihte Dritan Avllajn si bashkortak, por që nuk kishte denoncuar asnjë skemë korruptive kundër tij.

Menjëherë pas kësaj, avokati i tij në konferencë për shtyp dy herë radhazi, madje në të fundit edhe me deklaratë noteriale, tha se Selmanllari kishte thënë se Dritan Avllaj ka kërkuar t’i jepet 20 për qind e kontratës në këmbim të studimit të zonës dhe lejes së ndërtimit.

Pavarësisht thënieve dhe kundërthënieve të Selmanllarit, ja se cfarë ka thënë konkretisht biznesmeni që mohoi deklaratën e tij për arsye që nuk dihen:

“Dritani nuk na ka premtuar konkretisht ndërhyrje tek ndonjë person konkret në bashkinë e Tiranës për të realizuar marrjen e lejeve të sheshit dhe ndertimit. Dritani thjesht ka marrë përsipër ndjekjen e këtij procesi pranë bashkisë së Tiranës. Megjithatë, ky shtetas do investonte edhe vetë 20% në këtë rast”.

Ndërsa dëshmia e Arjan Tartarit ka qenë kjo: “Unë personalisht nuk kam qenë i detyruar absolutisht për të përfshirë Dritanin në këtë kontratë bashkëpunimi. Ne nuk e kemi prishur këtë kontratë dhe për këtë arsye kjo marrëveshje ekziston”.

Të dyja këto dëshmi, të dhëna përpara prokurorëve, duket se rrëzojnë ato që më pas të dy dëshmitarët deklaruan përmes avokatëve në media, të cilat u bënë bazë për polemika dhe sulme politike.

Top Channel