Rrëzohen akuzat e politikës

29/12/2010 15:55

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për akuzat e anasjellta midis dy subjekteve politike PD dhe PS, bërë përkatësisht nga deputetët Erion Brace dhe Albana Vokshi. (UPDATE)

Gjatë një komunikimi për median, zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme Plator Nesturi, deklaroi se hetimi i vetëm që do të vazhdojë në lidhje me akuzat e gushtit të këtij viti mbetet ai i koncesioneve të hidrocentraleve për të cilën task forca kërkoi më shumë kohë.

“Në përfundim të hetimeve, prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë ka konkluduar se të dhënat e pasqyruara në deklaratën publike të shtetases Albana Vokshi, që kanë lidhje me veprime korruptive para dhe gjatë momentit të nënshkrimit të kontratës së bashkëpunimit të datës 05.02.2008, nuk ekzistojnë. Gjithashtu, prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë ka konkluduar se të dhënat e pasqyruara në deklaratën publike të shtetasit Erion Braçe, në lidhje me veprime në kundërshtim me ligjin të nënpunësve shtetërorë në rastin e marrëveshjeve hidrokarbure, të lidhura ndërmjet shoqërisë “Albpetrol SH.A” dhe shoqërisë ”Stream Oil & Gaz Ltd”, nuk parashikohen nga ligji si vepër penale”, ka deklaruar Nesturi.

“Për këto dy raste të sipërpërmendura, prokuroria ka vendosur pushimin e çështjes. Lidhur me të dhënat e pasqyruara në deklaratën publike të shtetasit Erion Braçe mbi veprime në kundërshtim me ligjin të nënpunësve shtetërorë në rastin e lidhjes së kontratave për dhënien me koncesion për ndërtimin e 6 hidrocentraleve mbi lumin Kardhiq, për shoqërinë “Albaenergiaplus”, prokuroria ka vendosur ndarjen e çështjes dhe vazhdimin e hetimit për shkak të kompleksitetit të veprimeve hetimore dhe kohës së nevojshme për përfundimin e tyre”, ka shtuar ai.

Në këtë mënyrë është mbyllur pa asnjë efekt juridik një nga debatet më të mëdha politike në vend, i cili për muaj me radhë sundoi skenën politike dhe mediatike.

Opozita ofroi publikisht dokumente dhe fakte, që sipas saj, vërtetonin abuzimet në dhenien me koncesion të fushave të naftës kompanisë “Stream Oil”, me përfaqësues bashkëshortin e deputetes Albana Vokshi.

Ndërsa mazhoranca akuzoi publikisht kreun e bashkisë së Tiranës që përmers biznesnmenëve të afërt me të aplikonte taksën korruptive prej 20 për qind të investimit në këmbim të lejes së ndërtimit.

Të dyja palët kanë marrë kështu përgjigjen zyrtare nga prokuroria, të cilën e ftuan të hetonte pretendimet e tyre.

Top Channel