Minxhozi: Djegia e fletëve thellon krizën

29/12/2010 21:25

Analisti i njohur i shtypit shqiptar, Skënder Minxhozi është shprehur kundër vendimit të KQZ për hapjen e kutive dhe djegien e fletëve të votimit.

Në një intervistë për Top Channel, Minxhozi ka shprehur bindjen e tij se djegia e fletëve të votimit do të thellojë edhe më tej krizën politike në vend.

“Nuk zgjidhet me djegie kriza politike në Shqipëri. Mënyra se si po menaxhohet kriza e fletëve të votimit na fut edhe më thellë në krizë. Kjo, sepse tani që hetimi i zgjedhjeve është bllokuar tërësisht, nuk mund të mos themi që kriza është thelluar. Situata është për të qarë hallin”, ka deklaruar Minxhozi.

Sipas tij, me këtë vendim opozita shqiptare ka dështuar, pasi nuk i ka mbetur më asnjë kartë në dorë.

“Opozita, me zig-zaget e saj, me mungesën e një axhende konkrete dhe me ofertat e ndryshme që ka bërë, duket sikur ka humbur terren, por virtualisht ajo ka prekur fundin, pasi nuk ka më cfarë të cedojë dhe topi i kalon mazhorancës”, ka pohuar Minaxhozi, i cili ka bërë një parashikim se cilat mund të jenë lëvizjet e ardhshme të së majtës.

“Tashmë opozita i ka mbaruar të gjithë fishekët dhe arma e radhës e saj është shqyrtimi i disa pikave, si ashpërsimi i gjuhës me daljen në protesta dhe ridimensionimi i pozicionit të saj në Parlament, por nuk dihet se cila do të jetë axhenda e saj konkrete pas vitit të ri”, ka nënvizuar Minxhozi.

“Bllokimi i procesit hetimor bllokon reformën zgjedhore, prandaj duhen parë efektet e këtij bllokimi”, ka theksuar ai.

Më tej kryeredaktori i revistës “Mapo” ka komentuar edhe akuzat që Berisha i bëri sot prokurorisë dhe nismën që kryeministri paraqiti sot kundër korrupsionit.

“Janë disa fakte të sikletshme mbi të cilat prokuroria duhet të veprojë. Këtu futet edhe tema e imunitetit të deputetëve, strategji e cila u konsiderua si bajate nga kryeministri dhe që e tillë mbetet akoma. Pyetja që shtrohet është, a do të ketë një prokuror që do të mund të hetojë?”, është shprehur Minxhozi. 

Top Channel