
Një student shqiptar i menaxhimit të peshkimit është shndërruar në një prej babagjyshëve më të rinj në botë, zbuloi emisioni i Pasdites në Top Channel.
Mandi 22-vjeçar e ka shndërruar pasionin e tij në një profesion të vërtetë që prej tre vitesh, ndërsa në këtë sezon të vitit argëton fëmijët me paraqitjet e tij.
”Më duhet të shëndoshem dhe të plakem që të jem edhe më i mirë në rol”, thotë me humor Mandi. “Askush nuk besonte se mund t’ia dilja në fillim. Të afërmit e morrën me shaka, prandaj u befasuan kur panë se e luaja aq mirë rolin”.
Mungesa e mjekrës apo e peshës së duhur është një pengesë e kalueshme për të. “Me fëmijët e vegjël ndihem shumë i sigurt. Lëviz më ngadalë, siç lëviz një i moshuar. Problemi qëndron me të mëdhenjtë, të cilët më shkulin mjekrën dhe janë më kërkues, por ia kam marrë dorën edhe atyre”.
Në rethin shoqëror, Mandi-babagjysh u kthye në shënjestër të batutave me humor. “Në fillim e tallnim, por tani e shohim se e ka marrë seriozisht. Një surprizë e bukur për shoqërinë e tij”, thotë shoqja e tij më e mirë.
Pas 31 dhjetorit do t’i rikthehet librave, por deri atëherë ka një këshillë për të dhënë. “Më ka bërë mirë ky profesion, më ka larguar nga kafenetë dhe shpërdorimi i kohës. I këshilloj të gjithëve që të ndjekin pasionet e tyre”, përfundoi 22-vjeçari.
Top Channel