Bilanci i fundvitit për bankat greke është më se i hidhur në këtë periudhe, kur vendi përballet me krizën e ashpër ekonomike.

Sipas një raporti nga banka e përgjitshme e Greqisë, mosarkëtimi i interesave të kredive me probleme tejkalon shifrën prej 28 miliardë euro.

Vlerësimet e drejtuesve të bankave greke nuk përjashtojnë që me fillimin e vitit të ri të shpërndajnë mbi 10.000 apele në gjykatat e qarqeve, për ata individë të cilët kane mbi 3 muaj që kanë ndaluar pagimin e kësteve, ndërsa numri i përgjithshem i personave që nuk janë korrektë me pagesën shkon në mbi 350.000.

Pasqyra e raportit të bankës qendrore paralajmëron se problemi i mospagimit të kësteve nga debitorët do të thellohet edhe më tepër në vitin e ardhshëm, përderisa detyrimet financiare do të rriten edhe për ata që janë korrektë.

Në krye të listës me kreditë e këqija jane sidomos kreditë konsumatore dhe më pas vijnë ato të biznesit.

Edhe pas amnistisë fiskale që dha qeveria Papandreu për më shumë se 54.000 debitorë, brenda disa muajsh mbi një e treta e tyre ka hyrë përsëri në listën e zezë të personave që nuk paguajnë.

Vërtet që 6 bankat kryesore greke regjistruan gjatë këtij viti fitime rreth 850 milionë euro, por ky fitim në krahasim me 2009-ën ishte 64% më i ulët.

Kjo pritet të sjellë një reduktim kolosal në dhënien e kredive të reja, në një periudhë kur vetëm gjatë 2010-ës në bankat e vendit janë ulur depozitimet në mbi 27 miliardë euro dhe në vitin që vjen pritet që 20 miliardë euro të tjera të shkojnë ose në bankat jashtë Greqisë, ose të konsumohen.

Me rrezikun e likuiditetit të tyre tashmë të dukshem, pyetja që shtrohet është se edhe për sa kohë akoma BQE, që deri tani u ka dhënë kredi bankave greke rreth 95 miliardë euro, do të vazhdojë akoma të mbulojë këtë boshllëk.

Top Channel