
Një vit e gjysëm pas përfundimit të zgjedhjeve të 2009-ës dhe 2 ditë pasi në Parlament nuk u arrit një marrëveshje për ngritjen e një komisioni hetimor për këto zgjedhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vëndosi të zbatojë nenin 178.6 të Kodit Zgjedhor. (UPDATE)
Domethënë vendosi të hapë të gjitha kutitë e votimit, të djegë fletët e votimit dhe të cojë materialet zgjedhore në Arkivën e Shtetit.
Por, përpara se të merrej ky vendim, përfaqësuesi i Partise Socialiste shprehu kundërshtimin e fortë të opozitës për djegien e fletëve të votimit.
“Interesi ynë për materialet nuk ka përfunduar. Ky interes ka lidhje me transparencën dhe zgjedhjet e ardhshme, prandaj sot po merrni një vendim shkatërrues. Edhe duke djegur fletët e votimit ju nuk duhet të bëni Neronin e shekullit të njëzetenjëtë”, ka deklaruar Genc Gjoncaj.
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani tha se ky ishte një qëndrim politik, që nuk përputhet me Kodin Zgjedhor dhe se kërkesa e Partisë Socialiste nuk bazohej në ligj.
“Akti për të cilin jemi mbledhur është në zbatim të ligjit të Kodit Zgjedhor, të martuar me konsensus mes palëve politike, që ia ka lënë KQZ-së të vendosë. Do ishte mirë që të referoheshit tek ligji dhe jo tek politika”, ka deklaruar Ristani.
Vendimi për të hapur kutitë dhe për të djegur fletët e votimit nuk zgjati shumë, sepse 2 prej anëtarëve të KQZ, të propozuar nga opozita dhe përfaqësuesi i PS u larguan nga mbledhja duke shprehur kundërshtimin e tyre.
“Cfarë mund të vazhdojmë ne kur përplasemi kaq fortë, kur politika nuk të jep besim për t’u futur në zgjedhje. Unë jam kundër djegies së kutive. Vendimmarrja 4-3 është një cështje besimi dhe unë nuk jam pjesë e shqyrtimit të këtij materiali”, ka pohuar komisionerja e PS, Dëshira Subashi.
Ky veprim u cilësua politikisht i njëanshëm nga kreu i KQZ-së. “Të mbash qëndrim të pastër politik dhe të largohesh nga komisioni është njëanshmëri dhe shkelje e betimit të bërë në Parlament”, ka reaguar Ristani.
Sipas vendimit të KQZ, që u mor me 4 votat e anëtarëve të propozuar nga mazhoranca, KQZ-ja do të nisë pastrimin e kutive të votimit në datën 7 janar, për ta mbyllur në 5 mars, një proces i ndarë në tre faza, ku njëra prej tyre i përket djegies së fletëve të votimit.
“Do të jenë 3 procese, djegia e fletëve, seleksionimi i materialit që mund të ripërdoret dhe materiali që do të shkojë në Arkivën e Shtetit”, ka saktësuar Ristani.
Sipas kreut të KQZ, koha për përgatitjen e zgjedhjeve lokale më 8 maj është tejet e kufizuar, prandaj ai ftoi anëtarët e KQZ dhe forcat politike të ushtrojnë me përgjegjshmëri detyrat që u ngarkon Kodi Elektoral për përgatitjen sa më të mirë të procesit.
Top Channel