Rama: Berisha thelloi krizën politike

28/12/2010 11:45

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar ndaj seancës së djeshme parlamentare, ku u rrëzua kërkesa e opozitës për hetimin e zgjedhjeve, duke akuzuar direkt kryeministrin Berisha se nuk ka dashur arritjen e një kompromisi.

“Berisha dje shpifi pafund dhe thelloi krizën politike. Berisha refuzoi cdo kompromis. Në seancë pamë se si u mor peng Parlamenti dhe si u ofendua opozita”, ka deklaruar Rama në një konferencë për shtyp.

Sipas tij, qëndrimi i djeshëm i mazhorancës dhe i liderit të saj vërtetoi vjedhjen e votave në zgjedhjet e 28 qershorit.

“Mbrëmë Berisha vulosi në faqen e zezë të këtij pushteti, se i ka vjedhur zgjedhjet e 28 qershorit dhe se e vërteta që ndodhet në kuti është një tmerr, një e vërtetë e papërballueshme për të”, ka pohuar Rama.

Sipas tij, situata në vend ka degraduar për shkak të korrupsionit masiv që ka si autor qeverinë, sipas tij, të votave të vjedhura.

“Jemi në një situatë dramatike dhe shumë të rrezikshme, pasi aferat dhe skandalet e korrupsionit janë bërë kaq të dukshme dhe të përditshme, sa asgjë nuk cudit më askënd”, është shprehur Rama.

Megjithatë, ai ka theksuar se opozita do të vazhdojë të qendrojë e bashkuar dhe të vijojë të luftojë për nismën e saj për transparencën e zgjedhjeve, e cila sipas Ramës është e pashmangshme.

“Sot qeveria ka një opozitë më të vendosur se kurrë dhe më të bashkuar se asnjëherë, që nuk heq dorë nga transparenca, e cila herët ose vonë do të bëhet. Dhe kush ka mbushur kutitë më 28 qershor do të dalë nga kutitë, sepse Berisha nuk i zhbën dot të vërtetat e materialeve zgjedhore, të cilat do të bien në duart e publikut herët ose vonë”, ka nënvizuar Rama, i cili e ka përjashtuar në mënyrë absolute opsionin e bojkotit të zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Më tej lideri i opozitës ka akuzuar kryeministrin se ka mashtruar punonjësit e sektorit shtetëror dhe pensionistët me rritjet qesharake të rrogave dhe me rritjen reale të faturave që ata duhet t’i paguajnë shtetit.

“Mjekët nuk marrin shpërblimin për vitin e ri dhe pensionistët nuk e marrin po ashtu shpërblimin pasi kanë kaluar 12 muaj më të vështirë se kurrë dhe me pensione që, po u janë rritur 6 mijë lekë të vjetra, por shoqërohen me fatura që u janë stërrritur duke nxjerrë prej xhepit të tyre shumë më tepër se një vit më parë, për të njëjtat ushqime, ilace e shërbime. Dhe për këtë arsye, këtë fundviti ata janë më të varfër se më parë”, është shprehur Rama.

Më tej ai ka kritikuar sërish qeverinë për shkak të dështimit të marrjes së statusit të vendit kandidat me BE-në.

“Shqiptarët kanë mbetur peng në një stacion tranziti sic është sot për ta Shqipëria, e lënë pas dyerve të BE-së, pa statusin e kandidatit dhe që nuk i ka celur dot negociatat me BE-në. Dhe kjo, sepse kemi një qeveri që nuk është zgjedhur. Kryetari i PD jep shembullin më të shëmtuar, sillet ashtu si njeriu nuk duhet të sillet në botën e qytetëruar”, ka shtuar Rama.

Top Channel