Në qendër të qytetit të Selanikut, vetëm 35 km larg Pellës, vendlindjes sw tij, ndodhet një prej statujave më të mëdha të Aleksandrit të Maqedonisë, nderi dhe krenaria për gjithë popullin grek.

Por lajmi se udhëheqja e Shkupit pritet që për disa muaj të vendosë një statujë supergjigande të tij, në qendër të kryeqytetit të shtetit fqinj, ka ngjallur reagime tepër të mëdha.

Bëhet fjalë për një statujë madhështore prej 22 metrash, me 8 metra bazament, që tregon Aleksandrin mbi kalin e tij Bukefalin, 8 luftëtarë mermeri si dhe 5 luanë prej bronxi.

Shtypi grek e konsideron vendosjen e kësaj statuje si një provokim të ri, që veçse thellon akoma më shumë hendekun që ndan këto dy vende të cilat për mëse dy dekada, nuk bien dakord për emrin e Maqedonisë.

Sipas revistës maqedonase “Fokus”, statuja është përfunduar në Firence të Italisë dhe ka kushtuar më shumë se 6 milionë euro. Pas vetos në integrimin e Shkupit në NATO, Athina ka kohë që i bën thirrje fqinjit të tij verior, të heqë dorë nga qëllimet propagandistike dhe të mos kërkojë me kot një identitet që si takon, duke përvetësuar Aleksandrin e Madh dhe historinë e tij.

Thuhet se udhëheqja maqedonase ka përcaktuar prillin e vitit 2011 për vendosjen e kësaj statuje, muaj që përkon në bazë të vlerësimeve të qeverisë Gruevski, me kohën e mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve të parakohëshme në Greqi, pra të një periudhë dobësie politike në vend.

Nga ana e saj Athina zyrtare nuk ka bërë asnjë koment lidhur me statujën e re të Aleksandrit të Madh, ndërsa ministri i Jashtëm Dhrutsas ka ripërsëritur disa ditë me parë para parlamentit, se zgjidhja e çështjes së emrit, përbën kusht për integrimin e Shkupit në NATO dhe në BE.

Top Channel