Legalizimet, 127 pronarë do kompensohen

28/12/2010 08:00

Merr fund pritja e gjatë për pronarët e tokave të zaptuara nga ndërtimet pa leje. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave zbardhi dje listën me 127 përfaqësues që do të tërheqin kompensimin në degët e bankave, duke nisur nga dita e sotme, 28 dhjetori.

AKKP-ja deklaron se ka përfunduar raundin e dytë të procesit të shqyrtimit të kërkesave të subjekteve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë këstin e parë të kompensimit apo shpërblimit në masën prej 21,89% të shumës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Procesi u bazua në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010, “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilat është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.

Në përfundim të këtij procesi, janë miratuar 127 kërkesa për tërheqjen e kompensimit/shpronësimit në të gjithë vendin.

Nga ky proces përfitojnë një numër prej rreth 400 pronarësh ose bashkëpronarësh, në shumën e përgjithshme prej rreth 320 milionë lekësh.

Vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë bankare të depozituara në AKKP, duke filluar nga data 28 dhjetor 2010.

“Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me këtë rast falënderon të gjitha subjektet aplikuese dhe institucionet shtetërore për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e shfaqur për përmbylljen në afat të procesit”, u shpreh dje drejtori i përgjithshëm, Elvis Çefa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA