Humbja nga kreditë e këqija

28/12/2010 15:55

Bankat llogarisin se kanë humbur mbi 13.6 milionë dollarë në 10 muajt e parë të vitit nga mosarkëtimi i interesave të kredive me probleme.

Të dhënat e fundit nga shoqata e bankave tregojnë se interesi i munguar nga kreditë e këqija është sa 30 përqind e fitimeve totale që bankat kanë realizuar gjatë dhjetëmujorit.

Humbjet për shkak të kredive të këqija janë rritur me 70 përqind krahasuar me një vit më parë, kur ato ishin gati 8 milionë dollarë.

Ndërsa krahasuar me tetorin e vitit 2008, ato janë rritur me 1.6 herë.

Të dhënat tregojnë se kreditë e këqija arritën në fund të dhjetëmujorit në 14.1 përqind e totalit, ose afro 670 milionë dollarë.

Por edhe me rritjen e humbjeve nga kreditë e këqija bankat ja kanë dalë sërish të realizojnë fitime.

Sipas të dhënave për dhjetëmujorin fitimet e bankave ishin në total 43 milionë dollarë, me një rritje prej 1.7 herë krahasuar me vitin e kaluar.

Sistemi bankar në Shqipëri mbetet një nga më fitimprurësit në rajon, kjo edhe për shkak të normave të larta të interesit që i ngarkojnë kredive.

Pak kohë më parë banka botërore publikoi një raport në të cilin, llogariste se diferenca mes interesit të kredive dhe atyre të depozitave në Shqipëri është mesatarisht 2 deri në 3 përqind më lartë se mesatarja e rajonit.

Top Channel