Çështja “Sejdiu”, Kushtetuesja nuk është “penduar”

28/12/2010 16:35

Në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nuk janë penduar për vendimin që morrën kur deklaruan Fatmir Sejdiun shkelës serioz të Kushtetutës.

Edhe pas krizës institucionale që u shkaktua nga dorëheqja e Sejdiut nga posti i presidentit të shtetit dhe zërave nga disa subjekte politike që ankohen për legjitimitetin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, kreu i saj Enver Hasani thotë se për të njëjtën çështje do të vëndosnin njësoj si më parë.

Sipas Hasanit pasojat politike nuk janë çështje e tyre.

“Interpretimi ynë mund të ketë pasoja serioze politike. Puna jonë nuk është që të kujdesimi për ato, por të kujdesemi që zbatimi dhe interpretimi i Kushtetutës të jetë sa më konform standardeve të demokracive perëndimore që Kosova i synon. Çfardolloj përmbysjeje politike të kishte, vendimi do të ishte i njëjtë”, është shprehur Hasani.

Këtë deklaratë Hasani e bëri në prezantimin e punës së këtij institucioni për vitin 2010.

“Gjykata Kushtetuese gjatë këtij viti ka pasur një efikasitet prej 92.24 % zgjidhje të kërkesave që do të thotë se nga 129 kërkesa të pranuara gjatë viti, gjykata ka zgjidhur 119 kërkesa ose 92.24 %”, tha Hasani.

Shkelësit më të shpeshtë të supozuar të të drejtave, sipas statistikave të publikuara, janë gjykatat me vendimet e tyre, që përbëjnë rreth 70% të rasteve, ndërsa pas tyre renditen institucionet shtetërore, e të tjerë.

Njëra nga vendimet e tjera të rëndësishme që Gjykata Kushtetuese mori janë edhe ato që kanë të bëjnë me ndryshimin e emblemës së komunës së Prizrenit, në të cilën paraqitet shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Po ashtu, kjo gjykatë mori vendim se presidenti në detyrë Jakup Krasniqi, nuk po e shkel Kushtetutën duke mbajtur edhe postin partiak, meqënese Krasniqi është vetëm ushtrues detyre i presidentit.

Top Channel