
Pas rezultateve të dobëta në mbledhjen e të ardhurave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur sulmin ndaj bizneseve.
Ditët e fundit punonjësit e tatimeve po mësyjnë me kontrolle të hollësishme tek një pjese e bizneseve, edhe pse deklarojnë për një fushatë të përgjithshme.
“Të gjitha kompanitë po i kontrollojmë, në të gjithë Shqipërinë”, ka deklaruar një prej tatimorëve.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, për herë të parë në vitet e fundit tatimet i kanë treguesit më të përkeqësuar se doganat, edhe pse më të prekura nga ulja e taksës doganore, por edhe cmimeve në tregjet ndërkombëtare, kanë qenë këto të fundit.
Deri në fund të tetorit, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve i mungojnë 36.5 milionë dollarë nga plani, për shkak të mosrealizimeve, ndryshe nga doganat të cilat e kanë tejkaluar planin e tyre me 12 milionë dollarë.
“Është një kontroll i zakonshëm që ka të bëjë me shitjet, numrin e punonjësve, etj”, ka sqaruar tatimori.
Edhe pse zyrtarisht argumenti i tatimeve është se po kontrollojnë për cmimet, shkaku i këtij aksioni duket i lidhur me rezultatet e dobëta, të cilat kanë ardhur në përkeqësim gjatë muajve të fundit.
Top Channel