Përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës kanë deklaruar se dëshirojnë të marrin pjesë në bisedimet e reja me Serbinë.

Ministri serb për Punë dhe Mirëqënien Sociale, Nenand Rashic ka deklaruar se pjesëmarrja është e nevojshme për komunitetin serb.

Megjithatë, në një intervistë për “DW”, ai është shprehur i vetëdijshëm se nuk mund ta imponojë pjesëmarrjen.

“Meqenëse negociatat teknike Serbi-Kosovë do të nisin rishtazi, unë jam i mendimit se secili prej nesh duhet të marrë pjesë në to, natyrisht nëse jemi të ftuar”, ka deklaruar Rashic.

Ai ka kujtuar bisedimet e mëparshme Kosovë-Serbi, duke nënvizuar se serbët e Kosovës atëherë ishin të painformuar mbi temat e diskutimeve.

Më tej Rashic ka shprehur bindjen e tij se bisedimet e reja do të shkojnë në rrugën e duhur, duke sjellë pajtimin e shumëpritur mes serbëve dhe shqiptarëve.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri kosovar Hajredin Kuci ka deklaruar se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do të kenë rolin e tyre në negociatat e reja, duke qenë pjesë e delegacionit.

Top Channel