
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci ka bërë përgjegjës kryeministrin Berisha për dështimin në arritjen e një konsensusi për hetimin e zgjedhjeve.
Duke folur në seancën parlamentare, Ruci është shprehur se lideri i mazhorancës nuk synon të bëjë transparencën, por të vjedhë edhe zgjedhjet e ardhshme.
“Kreu i kësaj qeverie nuk e pranon rezolutën duke refuzuar edhe propozimin e BE, sepse nuk ka qëllimin e mirë për të rekuperuar kohën e humbur në këtë 1 vit e gjysmë. Sot dhe ditën e enjte shqiptarët e shikojnë qartë se ky njeri, pavarësisht premtimeve që bën, asnjëherë nuk do t’i konkretizojë ato. Kjo, sepse ka prodhuar vetë krizë. Ai nuk do që t’i drejtohet në sytë e diellit maskarada e 28 qershorit 2009. Ai kërkon që edhe në zgjedhjet e ardhshme të bëjë të njëjtën gjë”, ka deklaruar Ruci.
Përfaqësuesi më i lartë i socialistëve në Kuvend ka theksuar se nga ana e saj PS i ka bërë të gjitha lëshimet, por ka qenë sërish kryeministri ai që nuk ka dashur të implementojë rekomandimet e BE.
“Dhe së fundmi, me qëllimin e ri që të ndërmarrim hapa për të përmirësuar infrastrukturën e zgjedhjeve të ardhshme, opozita mori një hap serioz. Njeriu që nuk do t’i implementojë rekomandimet e ndërkombëtarëve, përsëri me qëndresën e tij sot i qendron strikt qëndrimit të tij të hershëm. Ai nuk do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme”, është shprehur Ruci.
Më tej Ruci i është përgjigjur akuzave të kryeministrit ndaj kryetarit të PS, Edi Rama, të cilin e ka cilësuar si një pasardhës të kulturës së bllokmenëve.
“Sa për kulturën e bllokmenëve, ti ke ardhur në politikë me 3 kolona, si anti-komunisti më i madh, si dhjetoristi i vetëm dhe si anti-korrupsioni. Por faktet e fundit tregojnë që ke qenë më i preferuari i regjimit, prandaj mos vazhdo, sepse e ke të djegur kartën e anti-komunizmit. I ashtuquajturi “dhjetoristi”, luftove që të ishe vetëm ti dhe asnjë dhjetorist nuk është sot në grupin tënd parlamentar. E treta, në këtë sallë ke ligjëruar 8 vjet në opozitë si njeriu i duarve të pastra. Me këtë filozofi erdhe në pushtet, por asnjë njeri nuk beson që t’i dhe qeveria jote të mos jeni zhytur kokë e këmbë në korrupsion. Kështu që tre kolonat të kanë rënë”, ka shtuar Ruci.
Top Channel