Hetuesit malazezë mund të marrin në pyetje numrin dy të qeverisë së Podgoricës, Svetozar Marovic, në kuadër të një hetimi mbi kryerjen e aferave të paligjshme.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat lokale, sipas të cilave Marovic do të merret në pyetje lidhur me ndërtimin e kompleksit “Zavala” në Budva.

Lidhur me këtë cështje vetëm pak ditë më parë u arrestuan 10 persona, mes të cilëve edhe Dragan Marovic, vëllai i zëvendëskryeministrit.

Marovic, zëvendëskryetar i komunës së Budvës dhe 9 personat e tjerë, akuzohen për lidhje me krimin e organizuar lokal.

Përvec tij, një tjetër element i rëndësishëm që përfundoi në pranga ishte edhe kryetari i komunës turistike, Rajko Kuljac.

Burimet shtojnë më tej se hetimet mbi zëvendëskryeministrin mund të përqendrohen mbi punësimet në ndërmarrjen “Montinvest”, ku ai ka qenë aksioner bashkë me Dragan Sekulic, një tjetër zyrtar i arrestuar.

Top Channel