HEC-et, skema e manipulimit të tenderëve

27/12/2010 08:25

Që kur u krijua dhe nisi zbatimin ligji “Për koncesionet”, në janar të 2007-s, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka firmosur 85 kontrata për ndërtimin e 222 hidrocentraleve, ku mbi 70 për qind e tyre i takojnë epokës së Genc Rulit, ministri, i cili këto ditë po akuzohet nga opozita për korrupsion me tenderët.

Duke iu referuar një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton se gati gjysma e shoqërive private që kanë marrë me koncesion HEC-et, me firmën e ish-ministrit Ruli nuk kanë respektuar afatet sipas kontratës.

Mjafton të shikosh sesi ka nisur procedura e shpalljes së fituesit, për të kuptuar pastaj ecurinë e projektit dhe fundin që nuk po arrin ende. Sipas ERE-s, vetëm dy hidrocentrale kanë nisur prodhimin e energjisë, nga 222 të miratuar gjithsej nga Ministria e Ekonomisë.

Vonesat e shkaktuara për shfrytëzimin e burimeve ujore për energji elektrike e kanë zanafillën që me miratimin e kontratës. Detyrimi ligjor përcakton se brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e kontratës së koncesionit, duhet të krijohet shoqëria koncesionare.

Sipas KLSH-së, 19 shoqëri nuk e kanë kryer detyrimin në afat, kurse 25 shoqëri të tjera këtë detyrim nuk e kanë realizuar, megjithëse kanë kaluar afatin e lejuar. Praktikisht, gjysma e kontratave të firmosura nga ish-ministri Ruli e kanë shkelur që në fillim ligjin për afatin.

Kjo mangësi ka sjellë pengesa në zbatimin e afateve të tjera, për realizimin e objektit të koncesionit, pasi me dorëzimin e projekt-zbatimit duhej të paraqisnin edhe regjistrimin si shoqëri koncesionare.

Afati ka vijuar të shkelet edhe te paraqitja për miratim të projekteve-zbatuese brenda 6 muajve nga dita e hyrjes në fuqi të kontratës koncesionare.

Kështu, nga 45 shoqëri koncensionare, që iu lind ky detyrim, 12 prej tyre nuk e kanë përmbushur detyrimin sipas afatit, kurse 13 të tjera nuk e kanë paraqitur ende projekt-zbatimin deri në momentin e kontrollit (30 mars 2010).

Për të gjitha shkeljet, ish-ministri Ruli nuk ka penalizuar asnjë shoqëri, duke i shkaktuar shtetit të ardhura të munguara në buxhet. Për të kuptuar më qartë sesi funksiononte mekanizimi i dhënies me koncesion të HEC-ve, “Shqip” publikon tre raste, nga dhjetëra që janë përmendur në raportin e KLSH-së.

Rasti I

Në maj të vitit 2007, qeveria autorizoi ministrin Ruli të jepte me koncesion një hidrocentral në zonën e Pogradecit, vlera e të cilit shkonte rreth 10 milionë euro. Për këtë projekt, KLSH konstatoi mangësi e shkelje ligjore në procedurat e vlerësimit të dhënies së bonusit dhe shpalljes fitues të një shoqërie. Edhe pse me dokumentacion jo të plotë dhe mangësi financiare, ministria shpalli fitues një shoqëri private, e cila, ndër të tjera, nuk garantonte as gjetjen e fondeve për të kryer investimin. Jo vetëm që kishte probleme me bankën garantuese për kredinë, por nga ana tjetër nuk vërtetohej pjesa tjetër e investimit, pra burimi i zotërimit të mbi 3 milionë eurove. Sikur të mos mjaftonin këto mangësi, te Komisioni i Vlerësimit të Ofertave kishin mbërritur vërejtjet e oponencës teknike. Gjithashtu pas tenderit u paraqitën në METE ankesa nga shoqëritë e tjera, duke pretenduar për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit publik. Sipas KLSH-së, pavarësisht mangësive në dokumentacion dhe kapacitetit të ministrisë për t’i verifikuar dhe për të kërkuar zbatimin e ligjit, nuk u mor asnjë masë, duke lejuar firmosjen e kontratës.

Rasti II

Bëhet fjalë për një HEC të dhënë me koncesion në zonën e Librazhdit, përmes shpalljes së procedurave konkurruese në korrik 2008. Për këtë HEC dhe për procedurat që u ndoqën, KLSH konstatoi mangësi e shkelje ligjore në procedurat e vlerësimit dhe shpalljes fitues dhe me një vlerësim jo objektiv të operatorëve pjesëmarrës në këtë tender. Gjithashtu, janë zbuluar nga kontrollorët e KLSH-së se ka pasur mungesë transparence dhe barazie në tender, gjykim selektiv të dokumentacionit dhe mosmarrje parasysh të mendimit të anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), si juristit dhe ekonomistit. Nuk ka munguar edhe injorimi që i është bërë vendimeve të Autoritetit të Prokurimit Publik, si organi më i lartë administrativ vendimmarrës, ndërsa nuk është marrë vendimi konform ligjit për shpalljen e fituesit, ku po të njëjtët anëtarë kanë marrë në një kohë të dytë një “vendim kontradiktor për të anuluar procedurën pa pasur shkaqe objektive”.

Rasti III

Një tjetër objekt i dhënë me koncesion në zonën e Librazhdit, përmes tenderit të zhvilluar në shtator 2008. Sipas procesverbalit kanë tërhequr dokumentacionin 3 subjekte dhe në fund të procesverbalit, nuk ka asnjë shënim për mënyrën e komunikimit, përgjegjësi kjo e KVO-së. Gjithashtu, me urdhër të ministrit Ruli, më 13 tetor 2008, është shtyrë afati jashtë kufijve përkatës, ku është cituar se “… për periudhën e nevojshme shtesë që kërkojnë KVO për të marrë vendim”. Sipas KLSH-së, ky urdhër nuk është i plotë, pasi afati duhej të caktohej të paktën jo më shumë se sa afati ligjor, që është deri në 60 ditë dhe jo pambarimisht. Pas 10 muajve shkrihet KVO-ja dhe më 13 gusht 2009, mblidhet stafi i ri për të vlerësuar procedurën, jashtë çdo afati ligjor dhe bën vlerësimin e ofertuesve, pa dhënë asnjë sqarim, se për çfarë arsyeje u shkelën afatet ligjore të caktuara nga vetë ministri Ruli, duke treguar shenja të mungesës së transparencës. Nga kontrolli dhe verifikimi i kryer nga grupi i kontrollit të KLSH-së, rezulton se subjekti fitues duhej të skualifikohej pasi në kohën e kryerjes së tenderit në sistemin e tatimeve rezultonte debitor. Pra, ministri ia jep koncesionin një shoqërie që nuk kishte paguar taksat në shtet. Për KLSH-në, mjaftonte kjo shkelje dhe shoqëria në fjalë nuk duhej të ishte shpallur fituese, por Ruli bëri të kundërtën. Si tre rastet e publikuar më sipër, në raport gjenden plot të tjera, që të bëjnë të kuptosh sesi ka punuar ministri Ruli në 4 vjet mandati në krye të Energjetikës.

Top Channel