Viti 2010, rekord vrasjesh

26/12/2010 15:00

Gjatë vitit 2010, Shqipëria arriti një rekord të numrit të vrasjeve. Shtatë ditë nga mbyllja e vitit, u regjistruan 30 vrasje më shumë se vitin e kaluar, gjatë të cilit u shënuan 79 viktima si pasojë e krimit të vrasjes.

2009-ta, në fakt ishte rekordi i policise shqiptare që pas vitit 1997. Edhe në analizën e mbajtur pak ditë më parë, policia e pranoi rritjen e këtij numri, por u mbrojt me përqindjen e zbulimit të krimit.

Ajo deklaroi se zbulueshmëria arriti deri në 81 përqind, që normalisht mbetet ndër më të lartat në rajon, por njëkohësisht ndër më të lartët në rajon mbetet edhe numri i vrasjeve në raport me popullsinë.

Por numrit  109 në përfundim të vitit, po t’i heqësh vrasjet brenda familjes, që kanë qenë në shifra të larta gjatë këtij viti, sërish janë më tepër se viti i kaluar. Për të justifikuar rritjen e krimit të vrasjes, policia tha se shifra u rrit, pikërisht prej krimit brenda familjes.

Në tërësi krimi kundër personit arriti shifra të larta 596, çka statistikisht do thotë se çdo ditë kryhen tre krime ndaj shtetasve, kryesisht me armë zjarri apo armë të ftohta.

Armët, të çdo lloji qofshin, kanë qenë pjesë që kanë shoqëruar shqiptarët edhe gjatë ketij viti. Fakti që në çdo tre ditë një shqiptar vritet me armë zjarri, flet për probleme të rënda të shoqërisë dhe parandalimit të krimit.

Top Channel