
Në ditën e tretë të negociatave mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste shpresat për arritjen e një kompromisi për mënyrën e hetimit të zgjedhjeve nuk janë shuar.
Në fillim negociatorët kanë diskutuar mbi dy variantet e para, të cilat u bënë publike në seancen maratonë të së enjtes.
Pra kanë parë mundësinë që të modifikojnë vendimin e marrë nga parlamenti në mars, duke ndryshuar vetëm pikën që përcakton se shumica i takon opozitës.
Ky variant u pranua nga kryeministri Berisha, i cili tha se pranonte edhe variantin tjetër me 3 pika, të propozuar nga opozita, që Partia Socialiste të kishte shumicën, të kishte kryetarin dhe të hetonte vetëm materialet zgjedhore.
Ajo që mazhoranca vuri si kusht për pranimin ishte shtimi i një pike të katërt, ku të formulohej fjalia që komisioni të hetonte në bazë të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, që do të thotë djegie e fletëve të votimit dhe marrjen e materialeve zgjedhore në arkivën e shtetit dhe jo në KQZ, siç kërkon PS.
Këto dy variante kompromisi nuk janë shfuqizuar ende, por Top Channel ka mësuar se negociatorët, tani për tani, i kanë lënë menjanë, këto dy variante dhe po punojnë mbi një variant të tretë.
Pikat e këtij varianti nuk bëhen publike nga palët, por mësohet se pritet një reagim nga Partia Socialiste. Nga ky reagim, duket se do të varet edhe mbledhja e parlamentit ditën e hënë për të zgjidhur ose jo brenda këtij viti një çështje që mban pezull dialogun politik në vend prej një viti e gjysmë.
Tek palët nuk vihet re entuziazëm, por, megjithatë, duket se nuk kanë humbur durimin për të arritur një marrëveshje që, siç shprehen partnerët ndërkombëtarë, siguron transparencën dhe respekton ligjin dhe Kushtetutën.
Top Channel