Fati i fletëve të votimit

26/12/2010 16:50

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dy ditë përpara ndërrimit të viteve, do të vendosë se çdo të bëjë me kutitë e zgjedhjeve të shkuara.

Sipas projekt-vendimit të publikuar në faqen zyrtare, mbledhja e datës 29 dhjetor do të jetë vijim i një mbledhje të ngjashme që u la pezull për t’i dhënë mundësi politikës të gjejë një zgjidhje politike.

Por me ngushtimin e kohës, KQZ e ka vendosur çështjen e kutive në rend të ditës. Në projekt-vendim lexohet se përgatitja e infrastrukturës për zgjedhjet e ardhshme, e detyron KQZ-në të fillojë menjëherë procesin e evidentimit të sasisë dhe gjendjes së materialeve ekzistuese për të parashikuar llojet, sasinë dhe buxhetin që do kërkohet për zgjedhjet e ardhshme.

Aktualisht i vetmi material zgjedhor që KQZ mund të parashikojë si gjendje dhe të ripërdorshme është kutia e votimit dhe ajo e materialeve zgjedhore që janë përdorur në zgjedhjet e 28 Qershorit 2009.

Megjithatë, edhe për këto materiale, KQZ duhet të bëjë një vlerësim të shpejtë të gjendjes së tyre fizike, për të përcaktuar nëse do jetë e nevojshme për të parashikuar sasi shtesë të tyre.

Projekt-vendimi i KQZ-së vlerëson se përgatitja e kutive të votimit për zgjedhjet e ardhshme të 8 majit 2011, është në kushtet e emergjencës. Për këtë arsye vlerësohet si i domosdoshëm fillimi i menjëhershëm i procesit të hapjes së kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura në zgjedhjet e datës 28 Qershor 2009.

Në rast se ky projekt-vendim do të votohet të mërkurën e ardhshme, atëhere kryetari i KQZ-së me urdhër të brendshëm do të ngrejë një komision për hapjen e kutive të votimit, i cili do të jetë përgjegjës për seleksionimin dhe administrimin e dokumentacionit zgjedhor që do t’i dërgohet Arkivit Qendror të Shtetit, seleksionimin e materialeve që mund të ripërdoren si dhe për procesin e djegies së fletëve të votimit dhe kundërfletëve.

Por ky projekt-vendim pritet të kalojë me debate të forta mes anëtarëve të KQZ-së.

Top Channel