Urimet për Krishtlindjet

25/12/2010 15:30

Tradita e urimit të Krishtlindjeve ka çuar politikanët më të lartë të vendit në Kishën Ortodokse dhe atë Katolike në Tiranë për të thënë prej andej fjalët dhe mesazhet e tyre më të mira për shqiptarët.

Presidenti Bamir Topi, gjeti rastin të veçojë një mesazh për politikanët: “Mesazhi që vjen natyrshëm për shoqërinë tonë është më pak tension, më shumë marrëveshje, sepse gjërat e mira bëhen së bashku dhe kur je në harmoni.”

Ndërsa kryeministri Sali Berisha e përdori mesazhin e tij për Krishtlindje për të dhënë mesazhin e bashkimit të shqiptarëve, shprehjen e besimit se çdo vit ata do të jenë edhe më mirë.

“Kjo ditë i bashkon njerëzit, pavarësisht nga dallimet, në nderimin e shpresës dhe të ardhmes. Ky besim, bën që shqiptarët t’i festojnë Krishtlindjet më mirë. Vitin e kaluar festuam si qytetarë të NATO-s, sivjet si qytetarë që lëvizim të lirë në mbarë Europën. Jam i sigurt se Krishtlindjet e tjera do të na gjejnë më mirë”, u shpreh Berisha.

Edhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, kishte një mesazh të ngjashëm me kryeministrin Berisha, por nuk ishte aq entuziast sa ai për çfarë kaluan shqiptarët këtë vit: “Krishtlindjet këtë vit gjejnë një vend më të varfër, por sjellin mesazhin e dashurisë dhe të forces që dashuria jep për të përballuar të gjitha vështirësitë. Janë këto ndjenja që frymëzon kjo ditë që duhet t’i bëjnë të gjithë besojnë se e ardhmja do të jetë më mirë, në një ditë të afërt, dhe që nuk duhet të jetë e largët.”

Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në ditën e Krishtlindjeve përcolli tek shqiptarët besimin se fryma e gëzueshme e Krishtlindjeve do të vazhdojë të frymëzojë çdokënd për të bërë diçka edhe më të mirë.

Zonja Topalli uroi edhe ushtarët shqiptarë në Afganistan, ndërsa të gjithë politikanët kishin një urim të veçantë për qytetarët e zonave të përmbytura në Shkodër.

Top Channel