
Në kuadrin e asistencës së kërkuar në lidhje me Fondet e IPA-së të Bashkimit Europian, zyra shqiptare e projektit “Asistenca Teknike për Organizatat e Shoqërisë Civile”, TACSO, organizoi trajnimin treditor me temë “Procedurat e Aplikimit për Grantet e BE-së në kuadër të fondeve të IPA”.
Trajnimi synonte të rriste kapacitetet në fushën e përpunimit, hartimit dhe zhvillimit të projekteve për përfitimin e granteve nga Bashkimi Europian.
Konkretisht rrjeti i organizatave të Këshillit Rinor Shqiptar u përgatit për të aplikuar për Thirrjet për Propozime për Grante që u akordohen organizatave të shoqërisë civile në kuadër të dy komponentëve të parë të IPA-s, nga të cilat përfiton Shqipëria.
Synimi kryesor i aktivitetit ishte prezantimi i procedurave të aplikimit për grantet te përfaqësuesit e organizatave rinore. Etapat kryesore të trajtimit përfshijnë:
shqyrtimin e mundësive për të përfituar fonde në kuadrin e granteve të BE-së, fazat e menaxhimit të ciklit të një projekti, njohja me Thirrjet për Propozime dhe rolin e Udhëzuesit për Aplikantët, – Paketa e Plotë e Aplikimit në një Thirrje për Propozim, kuadri logjik i projektit.
Projekti TACSO është një projekt rajonal i BE-së, që zbatohet njëherazi në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi, duke pasur si qëllim kryesor rritjen e kapaciteteve për organizatat e shoqërisë civile dhe fuqizimin e rolit të tyre në një demokraci gjithëpërfshirëse.
Top Channel